Kategori
Postim

Botohet në Slloveni libri “Monumenta Albanica Justinopolitana” me autor Peter Štoka

Në datën 24 nëntor 2018, në Koper u organizua ceremonia e promovimit të librit në gjuhën sllovene “Monumenta Albanica Justinopolitana” me autor Peter Štoka. Autori pas një pune kërkimore e shkencore rreth katër vjeçare ia ka arritur të sjellë për publikun e gjerë dhe jo vetëm kaq, historinë e më shumë se katërmbëdhjetë familjeve të vjetra fisnike shqiptare me banim e kontribute shekuj më parë në Koper të Sllovenisë në periudhën e Venedikut. Pasioni, profesionalizmi, shfrytëzimi i burimeve të shumta, madje edhe të panjohura, paraqesin një botim shkencor, që hedh dritë jo vetëm për njohjen më të thellë të historisë shqiptare jashtë trojeve shqiptare, por ofron një kontribut të jashtëzakonshëm për studjuesit. Libri përfaqëson një tregues të qartë edhe të marrëdhënieve e të bashkëpunimit ndërmjet popujve tanë në një periudhë jo shumë të qartë deri tani sa i përket shqiptarëve në Slloveni. Në ceremoni merrnin pjesë organizatorët, Shoqata Kulturore “Iliria” dhe kryetari i saj Heset Ahmeti, përfaqësues të Ministrisë të Diasporës të Kosovës, Kryetari i Bashkisë Koper, Boris Popović, shqiptarë nga Koperi e Sllovenia në tërësi, shqiptarë nga Italia dhe Kroacia, si dhe Ambasada e Shqipërisë dhe Ambasada e Kosovës. Të pranishmit i përshëndetën kryetari i Bashkisë Boris Popović, ambasadori i Shqipërisë Pëllumb Qazimi dhe zëvendës ambasadorja e Kosovës Mirjeta Behluli. Rreth librit foli autori, Peter Štoka, si dhe profesor Shyqyri Nimani, i cli promovoi gjithashtu edhe librin e tij »Albanese«. Në muajt në vijim libri i Peter Štoka do të botohet edhe në gjuhën shqipe dhe në gjuhën italiane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *